Regjisorja e “Wonder Woman” thyen rekordin

05/06/2017 00:00

“Wonder Woman” është heroina e “Box Office” këtë fundjavë. Ekranizimi i ri i gruas me fuqi të jashtëzakonshme ka sjellë 100 milionë dollarë fitime nga shitja e biletave në Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, duke e kthyer filmin në debutimin më të suksesshëm të brendshëm të një regjisoreje femër.

Patty Jenkins theu edhe rekordin e vendosur nga Sam Taylor-Johnson me “Fifty Shades of Grey”, i cili grumbulloi 85.1 milionë dollarë gjatë prezantimit në vitin 2015.

“Wonder Woman”, me aktoren izraelite Gal Gadot në rolin e protagonistes kryesore, është pritur përgjithësisht mirë nga kritika.

“Wonder Woman” është i pari film me superheronj që drejtohet nga një grua. “Hollywood”, sidomos për filma të tillë, ngurron shumë që të punësojë një regjisore femër. Megjithatë, subjekti e ka bërë efektin e vet te fansat.

“Ka diçka të veçantë te historia e një gruaje të jashtëzakonshme si kjo, që i bën njerëzit për vete”, thonë ekspertët.

“Wonder Woman” ishte preferenca numër një edhe në kinematë britanike këtë fundjavë. Përpara saj, Patty Jenkins ka qenë mjaft e suksesshme edhe me regjinë e filmit “Monster”, bazuar në jetën e vrasëses seriale Aileen Wuornos, i cili i dha çmimin “Oscar” aktores kryesore, Charlize Theron, në vitin 2003.

Top Channel