LeBron, Zot. Por nuk iu bën ballë “jashtëtokësorëve” të Golden State

05/06/2017 00:00

Mbreti James jo më kot e ka fituar këtë epitet, por gjithsesi, i vetëm nuk mjafton përballë kalifornianëve jashtëtokësorë.

Unikë, të paimitueshëm dhe thuajse perfektë. Golden State Warriors nuk është thjesht një ekip basketbolli, por duken si banorë të një universi paralel, ku bashkëjetojnë dy “MVP”, 4 lojtarë “All Star” dhe një grup talentesh në pankinë që nuk ishin parë kurrë më parë në një franshizë të NBA-së.

Cleveland e provoi sërish të hynte në këtë univers paralel, por u zmbraps nga kalifornianët që iu imponuan atyre me rezultatin 132-113 në sfidën e dytë të finaleve, duke udhëhequr tashmë me rezultatin 2-0 përpara se të transferohen në Ohio.

Golden State i kishte fituar edhe vjet dy përballjet e para, por më pas panë një LeBron James që arriti të rrëmbente në fund trofeun “Larry O’Brien”. Por në krahasim me 2016-n, këto dy suksese të tanishme të lënë shijen e pamposhtmërisë, e vështirë për t’u përmbysur edhe nga më i forti i planetit, i cili teksa sigloi “dopietën e trefishtë” nëpër finale, me 29 pikë, 11 topa në tabelë dhe 14 asiste, e teta e tij në histori, tashmë do t’i duhet ta provojë sërish.

Megjithatë, Golden State nuk është më ai i vjetshmi, pasi këtë vit Stephen Curry dhe Kevin Durant shkaktojnë furtunë në sulm dhe mbrohen po aq mirë edhe kur tërhiqen.

Curry e regjistroi për herë të parë “dopietën e trefishtë” në këto “play off”-e, kur shënoi 32 pikë, 10 topa në tabelë dhe 11 asiste, por arriti të humbiste edhe 8 topa, gabim që në Cleveland nuk i lejohet ta përsërisë. Durant është një specialist në mbrojtje, teksa pas 33 pikëve, 13 topave në tabelë, arriti edhe 5 bllokime dhe 3 rikuperime.

Golden State dominon sepse është i pari thuajse në çdo aspekt të kolektivit, madje luan aq mirë sa kurrë më parë në histori: 14 fitore në 14 ndeshje “play off”, duke regjistruar kështu serinë më të gjatë të fitoreve në histori, nëse konsideron edhe shifrat e sezonit të kaluar.

Cleveland duket se e mësoi leksionin nga sfida e parë, sulmoi më shumë, detyroi Warriors të humbisnin 8 topa, shënuan më shumë pikë nga brenda zone me LeBron dhe Kevin Love, por gjithsesi do t’i duhet shumë punë për të përmbysur “jashtëtokësorët”.

Top Channel