Të rrëshqasësh me kavo nga “Eiffel”

05/06/2017 00:00

A doni ta dini sesa është shpejtësia e një topi tenisi? Atëherë mund të rrëshqisni në një kavo nga kati i dytë i kullës “Eiffel”, 115 metra mbi tokë.

Gjatë “French Open” e në bashkëpunim me turneun e tenisit “Roland Garros”, kompania franceze e ujit “Perrier” u mundëson gjuetarëve të adrenalinës të zbresin nga kulla me 90 km në orë, aq sa është shpejtësia e lëvizjes së topit të tenisit gjatë një loje.

Vullnetari Julien Bidet, 39 vjeç, tha se eksperienca kishte qenë e frishme dhe e bukur në të njëjtën kohë, ndërsa 19-vjeçarja Celia Bresson pohoi se ishte hedhur drejt boshllëkut pa dyshimin më të vogël.

“Ke ndjesinë se do të vdesësh, por më pas, kur mbërrin këtu provon një ndjenjë të madhe lehtësimi. Është e mrekullueshme”, thotë një burrë.

“Jam shumë e entuziazmuar dhe mezi po pres. Por sinqerisht nuk kam aspak frikë. Lartësitë nuk më trembin”, thotë një vajzë përpara se të hidhet.

Parizienët dhe turistët që do të guxojnë të provojnë aventurën, zbresin në një platformë të vendosur në “Champs de Mars” në këmbët e kullës “Eiffel”. Aty pranë gjendet edhe fshati Perrier, ku spektatorët do të ndjekin ndeshjet e tenisit në një ekran gjigant përgjatë javës.

Top Channel