E turpshme! Na përmbys Luksemburgu

04/06/2017 00:00

Shqipëria nuk arrin të ndalë serinë e humbjeve as ndaj një ekipi gjysmë-profesionist si Luksemburgu.

Kuqezinjtë e De Biasit u mposhtën 2-1 në një takim ku fitorja nuk duhej të vihej aspak në diskutim, pavarësisht se ishte miqësore.

Pjesa e parë përfundon në barazim pa gola, ndonëse Lenjani dy herë dhe Roshi, shpërdoruan mundësi të shkëlqyera shënimi, ndërsa portieri vendas  priti një goditje mjeshtërore të Kaçes.

Pjesa e dytë u duk se do të fliste shqip, pasi kuqezinjtë hidhen në sulm dhe gjejnë avantazhin me anë të Roshit.

Por, në minutat në vijim, futbollistët shqiptarë “dorëzohen” ndaj vendasve, të cilët marrin në kontroll lojën dhe arrijnë të shënojnë dy herë, duke përmbysur rezultatin.

Në minutat në vijim, sulmet e Shqipërisë janë shumë të vakëta, për të sjellë barazimin dhe gjithçka përfundon 2-1 për Luksemburgun.

Kështu, Shqipëria vazhdon të humbasë rregullisht, që nga ndeshja me Spanjën, në tetor të vitit të kaluar.

Top Channel