“Teknikët”, kontroll provimeve. Ministrja e Arsimit: Ndëshkime nëse do ketë shkelje

04/06/2017 00:00

Ministrja teknike e Arsimit, Mirela Karabina, në një dalje të parë për mediat, përveç mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, qëllim me të cilin ka ardhur në krye të dikasterit arsimor, ka deklaruar edhe garantimin e provimeve të maturës. Të hënën maturantët nisin me provimin e Anglishtes.

“Ne do të monitorojmë nga afër çdo aspekt të këtij procesi duke mos lejuar asnjë ndërhyrje apo deformim që mund ndikojë në cenimin e standardeve të këtij procesi kaq të rëndësishëm dhe me ndikim të gjerë në opinionin publik. Të gjithë aktorët pjesëmarrës në procesin administrimit të maturës shtetërore 2017, të zbatojnë me rigorozitet të gjitha detyrimet e përcaktuara të rregullores së maturës”, tha ministrja teknike e Arsimit.

Karabina ka deklaruar se do të monitorohet i gjithë procesi i provimeve dhe do të ketë dhe ndëshkime nëse vihen re shkelje.

“Çdo presion apo premtim i bërë maturantëve është i papranueshëm dhe në të gjitha rastet e evidentuara janë pjesë e procesit të verifikimit nga ana e Ministrisë së Arsimit dhe Sportit. Çdo shkelje e evidentuar do të ndëshkohet me rreptësinë më të madhe sipas legjislacionit në fuqi”, thotë ministrja.

Ministrja e Arsimit i ka kërkuar prindërve dhe maturantëve të denoncojnë çdo parregullsi që do të konstatojnë.

Top Channel