Skënderbeu, në prokurori

04/06/2017 00:00

Paralelisht me Komisionin e Etikës pranë Federatës Shqiptare të Futbollit, edhe Prokuroria e Tiranës vazhdon hetimet për dyshimet për fiksim rezultatesh ndaj Skëndërbeut, në bazë të dosjes që ka paraqitur UEFA.

Pak ditë më parë, në këtë prokurori janë marrë për të dytën herë në pyetje presidenti Ardjan Takaj, ish-trajneri i korçarëve, Mirel Josa, portieri Orges Shehi dhe mbrojtësat Marko Radas e Bajram Jashanica. Burime të sigurta pranë Prokurorisë së Tiranës bëjnë me dije se të pestë këta persona kanë mohuar akuzën për fiksim rezultate ndeshjesh, por ende asgjë nuk ka përfunduar.

Nga Komisioni i Etikës së FSHF-së, i cili do të japë një vendim më 8 qershor, pritet që të merret ndonjë masë, duke qenë se edhe kërkesa e UEFA-s është e tillë. Një vit më parë, organi më i lartë i futbollit europian ka vendosur të pezullojë Skënderbeun me 1 vit nga kupat e Europës, duke i cilësuar si fakte dyshimet për disa ndeshje që kishin ardhur për këtë skuadër.

Injorimi i këtij vendimi nga Komisioni i Etikës shqiptare ka sjellë një presion të vazhdueshëm të Komisionit të Disiplinës të UEFA-s që vendimi ndaj Skëndërbeut të jetë në unison edhe nga Komisioni i Etikës së FSHF-së. 

Ndërkohë, ky komision ka konfirmuar për Top Channel se nuk është vetëm skuadra e Skëndërbeut që ka dosje të tilla, por për momentin është e vetmja dosje e diskutuar dhe që po hetohet, kjo edhe për shkak të përfshirjes së prokurorisë, ndoshta për herë të parë kaq intensivisht.

Top Channel