“Profeti” Zidane. “Dua të fitoj trofeun…e 11 dhe 12 me Realin”

04/06/2017 00:00

Zinedine Zidane, profeti! Po, sepse profecia e tij është bërë realitet, sigurisht duke gëzuar Realin e Madridit dhe duke hidhëruar sërish Juventusin.

Në vitin 2003, vetëm një vit pas triumfit në Glasgow, ku me një gjuajtje të pabesueshme fluturimthi me të majtën i solli Realit trofeun e 9 në Champions League (fitore e Realit 2-1 përballë Bayer Leverkusen), Zinedine Zidane provoi të shprehte me fjalë një ëndërr të tijën.

“Me Realin dua të fitoj trofeun e 10, të 11-in dhe të 12-in”. Sot, ai iluzion u bë realitet nën qiellin e Kardifit. Pas fitores së trofeut të 10 si ndihmës i teknikut italian, Carlo Ancelotti, në Lisbonë, triumfet radhazi të vitit të kaluar dhe sivjetshëm, trajneri francez bëhet kështu firmëtar i një legjende.

Askush më parë nuk kishte arritur të fitonte dy herë radhazi Champions Leaguen, askush përpara Zinedine Zidane, i cili e bëri këtë gjë në vetëm 18 muaj nga debutimi i tij në krye të skuadrës së parë.

Sigurisht që Zidane ka qenë një futbollist ambicioz, fitues, por duket se është edhe i përzgjedhuri si trajner. Pas trofeve në La Liga dhe Champions sivjet, “Zizou” numëron plot 5 tituj në dy sezone, ose më saktë që prej janarit të vitit 2016, kur mori drejtimin e Realit të Madridit pas shkarkimit të Benitezit. Përfshi këtu edhe Superkupën e Europës dhe Botërorin e Klubeve.

Një palmares që mund të shtohet edhe me trofe të tjerë, pasi Reali do të luajë sërish në Superkupën spanjolle, Superkupën e Europës dhe Botërorin për Klube në dhjetor të këtij viti.

Top Channel