Gati miqësorja e Luksemburgut, De Biasi: Të gjithë do të jenë në test për Izraelin

03/06/2017 00:00

Pak orë nga përballja miqësore me Luksemburgun trajneri i përfaqësueses kuqezi Gianni de Biasi i ka kërkuar lojtarëve të kenë një përqendrim maksimal, pasi të gjithë në këtë miqësore do të jenë në një test për ndeshjen zyrtare me Izraelin pas një jave.

“Kjo ndeshje me Luksemburgun është një test shumë i rëndësishëm. Nuk duhet ta nënvlerësojmë. Lojtarët që do të luajnë në këtë ndeshje duhet të më japin sinjale të mira nëse do të duan që të luajnë edhe ndaj Izraelit. Më vjen keq që nuk do të jetë Bekim Balaj që është i dëmtuar, për pjesën tjetër të gjithë janë në dispozicion”, shprehet De Biasi.

Italiani më pas ka zbuluar arsyen e rikthimit të Kaçes dhe jo të Xhakës.

“Kaçe më çoi sms dhe më tha që e ka kuptuar që ka gabuar dhe se është i gatshëm që të kthehet. Xhaka ndërkohë ka bërë një gabim shumë të rëndë duke braktisur grumbullimin, duke lënë shokët dhe skuadrën dhe mban ende qëndrimin e tij”, thotë trajneri.

Ditët e fundit, mediat italiane e konsideronin ndeshjen me Izraelin si ndeshjen e fundit të De Biasit si trajner i Shqipërisë, por italiani nuk ka preferuar t’i përgjigjet situatës.

“Nuk i përgjigjem gjërave që nuk janë të sigurta. Disa herë ka ndodhur që e kanë përmendur emrin tim që kam shkuar tek kjo skuadër apo tek ajo. Nuk dua të flas për këto, dua të flas vetëm për ndeshjen”, shprehet De Biasi.

Megjithatë, ky është një moment i vështirë i tij, ndoshta nga më të vështirët që kur ka marrë drejtimin e kësaj skuadre.

“Mund të them se kësaj skuadre i mungon kapaciteti për të patur një objektiv gjithmonë madhor dhe ta mbajë një ritëm aq të lartë për ta synuar atë. Kur arrin në fund të jetës, mund të mendosh që mund të bëje gjërat më mirë. Njësoj si në fund të një ndeshjeje pasi përfundon të gjithë janë të gatshëm të komentojnë. Problemi më i madh është që Shqipëria është një vend i vogël dhe lojtarët mezi luajnë tek skuadrat e tyre. Qëndrova se mendoja që skuadra do të kishte më shumë synime për të shkuar më lart”, shprehet De Biasi.

Top Channel