Manovrat e Man.Utd, largon Ibrën për të sjellë Bale!

03/06/2017 00:00

Manchester United nis manovrat e mëdha të merkatos; do largojë Zlatan Ibrahimovic për të sjellë Gareth Bale.

Sipas asaj që publikohet në median britanike, “Djajtë e Kuq” kanë vendosur të mos e aplikojnë opsionin e rinovimit të sulmuesit suedez, i cili do të qëndrojë jashtë fushave të lojës deri në janarin e vitit 2018 për shkak te dëmtimit në ligamente të pësuar në ndeshjen me Anderlechtit. Drejtuesit e Manchester United e konsiderojnë si një çmenduri të japin gati 22 mln euro në formën e pagës për një futbollist që nuk do të luajë për gjysmë sezoni.

Në këtë pikë rishfaqet kandidatura e Gareth Bale për të cilin Manchester United e shfaqi interesin edhe në të kaluarën. Sipas “Independent”, Reali i Madridit është i gatshëm që të nisë bisedimet për largimin e uellsianit edhe pse Florentino Perez vazhdon të jetë një admirues i 27-vjeçarit. Në këtë pikë problem për Bale u bë Isco me të cilin Zidane duket se ka gjetur një ekuilibër më të mirë në skuadër.

Në krahun tjetër, Bale e konsideron Manchester United si ndër të paktat skuadra që janë në lartësinë e Realit të Madridit. Klubi merenges do të shfrytëzojë këtë rast për të arritur te De Gea si dhe për të siguruar fonde për blerje të rëndësishme ku në krye të listës qëndrojnë Mbappe e Hazard edhe pse belgu është pranë rinovimit me Chelsean.

Top Channel