Basha sulmon Metën: SHPK-ja e tij do të shpallë falimentimin

03/06/2017 00:00

Pas Romeos dhe Zhuljetës të përmendur nga Ilir Meta për Ramën dhe Bashën, kreu i opozitës iu referua një tjetër personazhi shekspirian për të sulmuar Ilir Metën, atë të fajdexhiut të pamëshirshëm.

“Tregtarit të Venedikut që u zgjodh President si akti i fundi i Republikës së vjetër, dua t’i them që ta marrë me shumë qetësi dhe dashuri faktin që SHPK-ja e tij do të shkojë drejt falimentimit total më 25 qershor. Lëre Petritin ta marrë faturën e falimentimit të SHPK-së. Opozita e bashkuar. Opozita e bashkuar dhe Partia Demokratike me votën e qytetarëve do të qeverisë në Republikën e re”, u shpreh Basha.

Por më shumë vend në takimin me krutanët zunë akuzat e Bashës se Rama nuk ka mbajtur premtimet kryesore.

“Populli do punë, ky thotë ja ku e ke palmën, populli do ujë për të pirë, ky thotë ja ku është shatërvani, populli kërkon kujdes shëndetësor, ky thotë ja ku janë pllakat. Njerëzit nuk janë dele, Edi Rama, nuk duan pllaka, nuk duan palma, duan punë duan pensione, duan shëndetësi, duan arsim”, tha Basha.

Në programin e Partisë Demokratike punësimi është prioriteti kryesor. Lulzim Basha tregoi edhe sesi realizohet premtimi për uljen e çmimit të karburanteve.

“Para dhe subvencione mbështetje për të gjitha kompanitë që krijojnë vende pune. Unë nuk do të jem kryeministri i shfaqjeve, unë nuk do të jem kryeministri i batutave. Unë do të jem kryeministri i ekonomisë, i punësimit, i punës për gjithsecilin prej jush”, tha kreu i PD.

Me vendosjen e taksës së sheshtë, 9 përqind dhe anulimin e disa koncesioneve në shëndetësi, opozita llogarit investimin e 1 miliardë eurove në ekonomi.

“Se vendimi i parë, në kuptimin e tarifave dhe taksave, do të jetë eliminimi i 240 lekë për litër karburanti taksë Rama. Kjo taksë do të anulohet. Karburanti, nafta shqiptare do të jetë jo më e shtrenjta, por më e lira në rajon sepse është gjaku i ekonomisë”, tha Basha.

Top Channel