Ronaldo: James duhet të qëndrojë. Nëse largohet…

02/06/2017 00:00

Cristiano Ronaldo shpreson që shoku i tij i skuadrës, James Rodriguez, të qëndrojë në “Bernabeu”, por thekson më tej se do ta mirëkuptonte mesfushorin kolumbian, nëse do të zgjidhte një tjetër destinacion, larg Madridit.

James Rodriguez nuk ka luajtur rregullisht nën drejtimin e trajnerit Zinedine Zidane, ndërsa thashethemet e fundit e lidhin atë me një largim të sigurtë nga “Los Blancos” gjatë verës së këtij viti.

Manchester United dhe Interi janë dy skuadrat më të interesuara për shërbimet e kapitenit të Kolumbisë, por Ronaldo tha të enjten për “La Sexta” se, do të dëshironte që ish-lojtari i Monakos dhe Portos të qëndronte.

“James ka arsyet e tij për t’u larguar, e ne duhet ta respektojmë për çfarëdolloj vendimi”, tha Ronaldo përpara finales së Championsit, që Reali i tij do të zhvillojë ndaj Juventusit ditën e shtunë në Kardif.

“Nëse ai nuk ndihet më i lumtur dhe dëshiron më shumë, atëherë duhet të shohë për më të mirën e mundshme. Nëse do të donte mendimin tim, do t’i thoja që të qëndronte. Sigurisht që ai ka pretendimet e tij, kërkon të luajë më shumë, por këto janë çështje personale dhe unë nuk mund të ndërhyj. Ai ka potencialin e mjaftueshëm për të luajtur me Realin e Madridit, por nëse ka arsye për t’u larguar, ne do t’i respektojmë”, tha portugezi.

Top Channel