Serbët pengojnë Jahjagën. Nuk i garantojnë sigurinë e vizitës

02/06/2017 00:00

Aktivistët për të drejtat e njeriut dhe kundërshtarët e tyre i kanë bërë një pritje të veçantë artistëve kosovarë në Serbi.

Festivali “Mirëdita, dobar dan” organizohet për promovimin e kulturës kosovare në Beograd. Ky festival planifikonte promovimin e një libri, që flet për përdhunimet e femrave gjatë luftës në Kosovë.

E ftuar, Atifete Jahjaga nuk ka mundur të udhëtojë në kryeqytetin serb, as si ish-presidente. Edhe pse ishte nisur për në Beograd, pas disa orësh autoritetet serbe nuk ia garantuan sigurinë. Ajo thotë se nuk ishte nisur me qëllime të këqija.

“Ata thjesht po vazhdojnë me politikën e njëjtë të viteve ’90, protagonistë të së cilës ishin edhe vet ata. Unë nuk jam as e hutuar dhe as e habitur me këtë sjellje të tyren”, thotë ish-presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga.

Jahjaga ka qenë disa herë e ftuar në Serbi dhe vizitat e saj gjithmonë janë anuluar. Vizitat e zyrtarëve serbë në Kosovë dhe ato të zyrtarëve kosovarë shkaktojnë gjithmonë tensione mes të dyja vendeve.

“Normalizimi i raporteve mes dy shteteve tona dhe trajtimi i barabartë fillon në atë moment kur Serbia të marrë të gjitha detyrimet e saj, e jo të bëjë shkelje të marrëveshjeve, siç ka bërë në rastin tim, dhe atëherë kur do t’i pranojë krimet dhe të kërkojë falje për krimet e bëra në Kosovë”, thekson më tej Atifete Jahjaga.

Zyrtarët e Kosovës kanë njoftuar Bashkimin Europian për këtë çështje. Vizita e Jahjagës ishte përgatitur dy javë më parë. Këto nuk janë incidentet e vetme në vitet e organizimit të këtij festivali.

Top Channel