Bojken Lako vjen në emisionin “Pasdite në Top Channel” për të folur mbi karrierën e tij muzikore, produksionin e fundit të këngës për komunitetin LGBTI dhe jetën personale e mungesën e të atit.

Për sa i përket këngës së tij, Bojkeni thotë se kjo këngë do të shpërndahet shumë shpejt sepse ka një tekst të thjesht e plot mesazhe.

“Jam i kënaqur që gjithmonë kam diçka të re, për të krijuar. Besoj se e gjej gjithmonë fuqinë për të parë një dritë e për të gjetur diçka të re, për të mbajtur edhe veten në formë, por edhe nga kënaqësia për t’i dhënë vetes time”, thotë Lako.

Ai thotë se për këngët e tij, të cilat u bënë hite, ka pasur një super publicitet në Top Channel e Top Media, por ama nuk është marrë vetëm me publicitetin e vetes. Bojken shprehet se nuk është marrë vetëm me muzikë e gjithnjë e ka quajtur atë si hobi.

Ai gjithashtu foli për “Pasdite në Top Channel”, për Semin, partneren e tij.

“Semi është identifikuar me mua para disa vitesh dhe iu atribuuan karakteristikat e mia dhe kjo s’është gjë e mirë. Por ama, ajo këndon shumë mirë në zhanre të tjera. Mendoj se ajo është në rrugën e duhur dhe është në proces, dueti do të vijë pasi të krijojmë personalitetet tona të veçanta”, thotë Bojkeni.

Bojkeni thotë se kërkohet një menaxhim më i mirë muzikor në Shqipëri, për të mos u bërë aq shumë komercial, megjithëse në botë fitimet nga muzika kanë rënë shumë dhe ka shumë artistë që artin e shikojnë si një lloj hobi.

“Unë në pjesën e karakterit tim po veproj si një njeri me dy personalitete, jetën po e konsideroj si një trajtë të veçantë dhe atë me njerëzit që më sollën në jetë si diçka që do të bashkohemi në një moment”, rrëfehet ai për humbjen e të atit, artistit Bujar Lako. Forcën për të mbushur jetën e tij e për të marrë nga ana shpirtërore atë ushqim, megjithatë shprehet konfuz kur flet për këtë histori humbjeje.

“Jam  krenar që marrëdhënia jonë nuk u prish për shkak të të qënurit personazh publik. Figura e tij është një çadër e madhe për mua në çdo kuptim”, -shprehet kantautori.

“Babai im ka qenë një artist puro, dhe e dija shumë mirë që ai donte atë artin e pastër dhe e di shumë mirë kë këngë pëlqente, e kë jo. Ai ishte një artist që donte emocionin e fortë dhe e kam pasur shumë të thjeshtë. Ai nuk i shihte kurrë filmat e tij”, tregon ai, “kam qenë pjesë vetëm njëherë e një sheshxhirimi të tij, s’kam qenë asnjëherë nga këta fëmijët e përkedhelur se shiko ca bën babi.

Në brezin e ri, thotë ai, ka shumë talente dhe me projektin e tij “Buleza” kërkon pikërisht këtë gjë, që këta të rinj përveçse të identifikohen të çajnë edhe nëpër botë, me produksione të mira. Me këtë projekt, ai synim pikërisht krijimin e  një infrastrukturë për këto talenteve të reja, për të prodhuar muzike dhe video.

Për sa i përket ardhjes së një fëmije në jetë, ai e lë një opsion të hapur, se kur të vijë momenti do të jetë i mirëpritur.

Top Channel