Partizani, ende me “Bobin” në stol

02/06/2017 00:00

Pasi nuk mundi dot të sillte titullin e shumëpritur te Partizani këtë sezon, por arkivoi gjithsesi një kampionat pozitiv me rivalizimin deri në fund, Sulejman Starova u përfol se do të linte pankinën e “të kuqve” me ekipin e kualifikuar tashmë në Europa League.

Por burime pranë Partizanit rikonfirmuan teknikun veteran në pozicionin aktual.

“Bobi”, siç është pagëzuar nga tifozët, pritej që këtë muaj të jepte dorëheqjen nga stoli i 15 herë kampionëve të vendit, për të rimarrë pozicionin e këshilltarit, vend në të cilin ishte para se të detyrohej të shpëtonte sezonin e “demave të kuq”.

Por duket se ndryshimi para impenjimeve në kupat europiane nuk do t’i bënte mirë ekipit, ndaj Starova do të qëndrojë të paktën edhe këtë verë.

Sulejman Starova mori drejtimin e Partizanit në tetor të vitit 2016, pas shkarkimit për rezultate negative të trajnerit italian, Adolfo Sormani. Falë punës së tij, ekipi kryeqytetas mbeti deri në javët e fundit pretendent për titullin.

Zgjedhja e trajnerit të ri, që mund të ndodhë në muajin gusht, pritet të jetë një akord mes presidentit, vet Starovës dhe këshilltarit Luciano Moggi, emri i njohur i futbollit europian i thirrur “nën armë” pikërisht për t’i riveshur Partizanit petkun e një ekipi kontinental.

Top Channel