Shefit të diplomacisë gjermane, Sigmar Gabriel i duket e vështirë për t’u besuar, që shumica e serbëve vazhdojnë ende të mendojnë se Rusia i ofron vendit të tyre asistencën më të madhe financiare.

“Problemet kryesore në Ballkanin Perëndimor – thotë ai, – janë të origjinës së brendshme: vonesa të reformave, korrupsion, stanjacion ekonomik dhe paqëndrueshmëri politike. Përpos kësaj shohim gjithashtu sesi po përdoren frika dhe traumat e vjetra për ta larguar vëmendjen nga këto probleme kyçe”.

“Duhet të jemi të ndërgjegjshëm se Ballkani Perëndimor nuk është imun, ndaj asaj që po ndodh në Europë dhe në botë. Shqetësimi ynë është se, disa vende jashtë rajonit po përpiqen të rivendosin një sferë ndikimi dhe po i shtyjnë fqinjët kundër njëri-tjetrit dhe kundër BE-së. Këta faktorë nuk vijnë nga rajoni, por po e dëmtojnë atë, duke reduktuar ritmin e reformave e duke fuqizuar forca, që janë të interesuara për mbijetesën e ‘status-quo’-ve të këqija”, tha Gabriel.

“Jam i bindur – shtoi Gabriel, – se është në interesin e Ballkanit dhe vet BE-së, që zona të marrë sërish kursin e duhur”.

“Ky kurs ka qenë i qartë që prej Samitit të Selanikut, ndaj dua të konfirmoj: qëllimi është anëtarësimi i 6 vendeve te Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian”, tha Gabriel.

“Një analizë e sinqertë, megjithatë, – shtoi Gabriel, – tregon se perspektiva e anëtarësimit në BE këto vitet e fundit e ka humbur disi joshjen e saj në Ballkan. Publiku ka mbetur i zhgënjyer, kur e ka parë se procesi është plot me sfida dhe kërkon kohë”.

“Për këtë arsye, – vazhdon ministri i Jashtëm gjerman, – retorika në BE duhet të ndryshojë dhe ajo në rajon gjithashtu”. Ai theksoi se ndihma e zgjeruar e bllokut për Ballkanin duhet të jetë më e dukshme, e këmbënguli në përshpejtimin e proceseve të mëdha të infrastrukturës, që janë të mbushra me simbolizëm, siç është edhe një autostradë që lidh Serbinë, Kosovën dhe Shqipërinë.

Top Channel