Kosovë, më shumë votues sesa banorë

02/06/2017 00:00

Numri i votuesve në Kosovë është më i lartë sesa numri i banorëve, në bazë të regjistrimit të popullsisë. Kosova ka në regjistrat e saj rreth 1 milion e 873 mijë votues, kurse numri i banorëve është 1 milion e 739 mijë.

Valdete Daka, kryetare e Komisionit Qendror Zgjedhor në Prishtinë, thotë megjithatë se gjithçka është gati, pavarësisht sfidës së organizimit të zgjedhjeve në një afat të shkurtër kohor.

“Diaspora e Kosovës është jashtëzakonisht e madhe. Edhe pse nuk kemi shifra të sakta, kemi me siguri më shumë se 500 mijë njerëz, të cilët jetojnë dhe punojnë jashtë Kosovës. Kur është bërë regjistrimi i popullsisë, emigrantët nuk janë regjistruar. Prandaj numri i qytetarëve të regjistruar është më i vogël sesa numri i atyre që janë në listën votuese”, shprehet Valdete Daka.

Daka thotë se interesimin më të madh, kësaj radhe e kanë shprehur nga diaspora. Nga 20 mijë aplikues u regjistruan 15 mijë, votat e të cilëve pritet të arrijnë në Kosovë përmes postës. Por një numër i madh i votuesve nuk do të kenë mundësi të votojnë, pasi afati për regjistrim ka qenë i shkurtër.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë ka bërë thirrje për qetësi dhe zgjedhje të lira.

KQZ-ja, për herë të parë do të ketë rolin kryesor në organizimin e zgjedhjeve në veri të Kosovës, ku jetojnë serbët.

Top Channel