Kombëtarja nis përgatitjet për Luksemburgun dhe Izraelin

02/06/2017 00:00

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka nisur tashmë përgatitjet për ndeshjen miqësore me Luksemburgun dhe atë me Izraelin për eliminatoret e Botërorit 2018.

Skuadra kuqezi, që prej ditës së enjte, ndodhet në Luksemburg, ku po zhvillon edhe punën për këto dy përballje. Në dispozicion të trajnerit De Biasi për momentin janë 19 futbollisë, ndërkohë që pritet ardhja e disa futbollistëve të tjerë, mes të cilëve Cikalleshi dhe Sadiku. Po kështu, pritet të bashkohen me grupin edhe Hyka dhe Llullaku, por këta të fundit nuk do të jenë të gatshëm për ndeshjen me Luksemburgun dhe do të presin skuadrën në Stamboll për të qenë në dispozicion të De Biasit për sfidën me Izraelin. 

Përsa u përket përgatitjeve, në pasditen e së enjtes stafi teknik preferoi që të aplikojë një stërvitje të lehtë për futbollistët, duke qenë se ata vijnë pas një sezoni shumë të ngarkuar. Kjo ndodhi edhe për pjesën e parë të seancës stërvitore të paradites të së premtes, për t’ia lënë më pas vendin aspektit taktik.

Përgatitjet e skuadrës sonë përfaqësuese do të vijojnë në orën 18:00, me seancën stërvitore të pasdites. Ndeshja miqësore mes Luksemburgut dhe Shqipërisë do të luhet ditën e dielë, ndërsa ajo me Izraelin në 11 qershor.

Top Channel