UEFA, “dritë jeshile” zëvendësimit të katërt në “Euro U21”

01/06/2017 00:00

Futbolli do të ndryshojë sërish. Këtë herë, Komiteti Ekzekutiv i UEFA-s i ka dhënë “dritën jeshile” zëvendësimit të katërt, por me një kusht. Ai do të kryhet vetëm në kohët shtesë, pasi gjatë 90 minutave të kohës së rregullt do të mbeten sërish 3 zëvendësime për çdo ekip.

Risia e futbollit do të implementohet fillimisht në Europianin e moshave U-21, që do të zhvillohet nga 16 qershori deri më 30 qershor, kjo për meshkujt, por edhe në Europianin e femrave që do të luhet nga 16 korriku deri më 6 gusht.

Kjo risi do të jetë eksperimentale për momentin, e nëse do të rezultojë e suksesshme do të implementohet edhe në kupat europiane dhe ndeshjet e kombëtareve, me shumë mundësi duke filluar nga sezoni 2018-2019. Gjithsesi nuk është e përjashtuar mundësia që të mund të futet që nga sezoni i ardhshëm.

Ndërkohë nuk është miratuar ideja e pezullimeve me karton të kuq për pjesë loje, që “IFAB” e kishte provuar në mars duke thënë se duhej eksperimentuar në turnetë e të rinjve. Gjithsesi lihet një dritare e hapur për federatat për të vlerësuar efektet. Kjo kërkesë vinte nga bota e arbitrimit, për të cilën do të flitet edhe në të ardhmen.

Top Channel