Takaj: Skënderbeu luajti “miqësore”; Halili: S’dua të përfitoj në kurriz të korçarëve

01/06/2017 00:00

Epilogu i futbollit kombëtarë shqiptar, me finalen e Kupës së Shqipërisë nuk ka kaluar pa diskutime dhe dyshime. Ngritja e trofeut të fundit sezonal nga ana e Tiranës pas 120 minutash lojë, nuk është pritur sërish mirë nga presidenti i korçarëve, Ardjan Takaj, por që këtë herë akuzat e dyshimet i kishte për skuadrën e rij.

“Nuk e kuptoj çfarë ishte kjo skuadër, ky ishte Skënderbeu më i dobët i viteve të fundit. Nuk di çfarë të them ishte si një ndeshje miqësore për ta”, u shpreh Ardjan Takaj, President i Skënderbeut.

Ndërkohë të dy këto skuadra janë përfshirë nga një vorbull hipotezash, për dënime dhe përfitime. Por presidenti i Tiranës, Refik Halili qartëson gjithçka për shpresat e skuadrës bardheblu dhe për përfitimin e mundshëm nga një penalizim i i Skënderbeut.

“Unë nuk kam më shpresa. Por unë e dua futbollin dhe do të ishte një humbje nëse do të ndodhë penalizimi i Skënderbeut. Unë vërtet shoh skuadrën time, por nuk do të më pëlqente të penalizoheshin ata që të gëzoja unë”, tha Refik Halili, president i Tiranës.

Presidenti Halili duke mos zbuluar akoma një vendim se çfarë do të bëjë në të ardhmen, thekson se ndihet i turpëruar që është bërë pjesë e errët e historisë së familjes bardheblu.

“Po e përbaltin shumë investimin tim, por mua gjithçka më del nga shpirti. Ndihem shumë keq që jam bërë pjesë e historisë të keqe të Tiranës duke e zbritur nga kategoria. Por me sa duket ky ishte fati im. Megjithëse duhet pranuar se na është hëngër haku”, shprehet Refik Halili, President i Tiranës.

Top Channel