Stadiumi i Juventusit ndryshon emër, bëhet “Allianz”

01/06/2017 00:00

Në shtator të 2011, Juventusi luajti ndeshjen e parë në stadiumin e ri, krejtësisht pronë e klubit e që deri më 30 qershor do ta mbajë emrin “Juventus Stadium”.

Themi deri në fund të qershorit pasi bardhezinjtë njoftuan arritjen e një marrëveshjeje për të riemëruar klubin dhe bëhet fjalë për një sponsor të fuqishëm, i njëjti që ka emëruar edhe stadiumin e Bajernit të Mynihut.

Por ndryshe nga “Arena”, në Torino, impianti i bardhezinjëve do të mbajë emrin “Allianz Stadium”.

Marrëveshja është zyrtare dhe është njoftuar nga vetë skuadra torineze, që thotë se ka gjetur gjuhën e përbashkët me degën italiane të kompanisë së sigurimeve Allianz dhe Lagardere Sports, kompania që zotëronte të drejtat e emrit të Juventus Stadium.

Detajet financiare të kësaj marrëveshjeje nuk bëhen të ditura, por ajo që është bërë publike është se me emrin “Allianz”, shtëpia e bardhezinjëve do të njihet deri në vitin 2023.

Në shtatë sezone, stadiumi i Juventusit ka pritur mbi 6 milionë tifozë. Në total, në këtë impiant janë luajtur 156 ndeshje, ku në 136 raste biletat janë shteruar plotësisht.

Top Channel