Punësimi nga portali, DAR: Mësuesja nuk shfaqi interes për këtë vit

01/06/2017 00:00

Drejtoria e Arsimit në Gjirokastër sqaron përse mësuesja fituese e konkursit “Mësues për Shqipërinë”, e cila i kërkoi ndihmë vetë kryeministrit, nuk është punësuar. 

Sipas drejtoreshës, Antonela Zotkaj ka pasur një kontratë të pjesshme  në arsim si fituese e portalit të vitit 2015. Lindita Rova thotë: “Zonja Zotkaj ka qenë pjesëmarrëse në portalin e vitit 2015 dhe është renditur e pesta në këtë portal. Janë angazhuar në pozicione të përhershme pune 3 mësues, ndërsa me kohë të pjesshme janë angazhuar vendi i katërt dhe i pestë. Edhe vetë zonja Zotkaj është angazhuar pranë institucioneve arsimore të Gjirokastrës me kontrata të pjesshme”.

Zotkaj kishte deklaruar për Top Channel se nuk i dinte arsyet pse nuk kishte ende një vend pune, edhe pse i ishte njohur e drejta nga Ministria e Arsimit. 

“Ndërkohë, në portalin e vitit 2016, zonja Zotkaj nuk ka bërë kërkesë, nuk ka shfaqur interes për të qenë punëkërkuese për 2016-2017. Nuk është në portalin e këtij viti dhe ne nuk mund t’i ofrojmë një pozicion pune në profilin e vet për vitin mësimor 2016-2017”, sqaroi Rova.

Top Channel