Mijëra grekë kanë nderuar ish-kryeminististrin Konstantinos Mitsotakis, i cili ndërroi jetë pak ditë më parë në moshën 99-vjeçare.

Trupi i ish-kryeministrit u vendos për homazhe në Mitropolin e Athinës që në orën 7 të mëngjesit, ku mijëra grekë pritën në radhë për të nderuar politikanin, që për vite me radhë dominonte arenën politike greke.

Qeveria vendosi që ceremonia e varrimit të bëhet me nderimet e kryeministrit në detyrë, ndërsa e gjithë klasa politike vendase shprehu nderimet e saj për Mitsotakis.

“Një burrë shteti me përmasa gjigante, që la shenjën e tij në arenën politike të vendit”, e quajti ish-kryeministrin Mitsotakis, presidenti i vendit Prokopis Pavlopoulos.

Mirënjohje e respekt shprehu për të edhe kryeministri Alexis Tsipras, ndërsa të gjithë kryetarët e partive, deputetë dhe ambasadorë të akredituar në Athinë bënë homazhe në nderim të tij.

Telegram ngushëllimi dërgoi edhe familja Bush, duke e quajtur atë një burrë shteti dhe mik të mirë të Shteteve të Bashkuara.

Telegrame ngushëlluese dërguan edhe shumë krerë shtetesh dhe politikanë të lartë të vendeve të ndryshme, ndërsa presidenti turk Erdogan i telefonoi vajzës së të ndjerit, (Theodora) Dora Bakoyannis për t’i shprehur ngushëllimet e tij.

Pas përfundimit të ceremonisë mortore, trupi i ish-kryeministrit Mitsotakis do të dërgohet me një avion ushtarak në vendlindjen e tij, Hania, ku edhe do të varroset pranë bashkëshortes së tij, Marika Mitsotakis.

Familja Mitsotakis nuk pranoi që shpenzimet e varrimit të bëhen nga shteti dhe kërkoi që në vend të kurorave dhe luleve, paratë të grumbullohen për mbjelljen e pemëve në “Malet e bardha” të ishullit të Kretës.

Konstantinos Mitsotakis do të mbahet mend si politikani, që iu tha grekëve të vërtetën mbi gjendjen ekonomike të vendit dhe drejtimin e gabuar që po merrte Athina që para shumë vitesh. Ai kishte kërkuar reforma të thella në skemën e pensioneve, privatizimet e sektorit publik dhe bashkëpunimin rajonal mes vendeve të Ballkanit.

Ai kishte parashikuar që në fillimvitet ’90, atë që prej 8 vitesh quhet “tragjedia moderne greke” dhe krizën e rëndë ekonomike e sociale që ka pllakosur vendin.

Mitsotakis vlerësohet si udhëheqësi që parashikoi rënien e bllokut socialist, shumë kohë më parë se ajo të ndodhte, e atij i takon merita e hapjes së kufirit me Shqipërinë në vitin ’90, gjë që shpëtoi shqiptarët prej urisë në ato vite të zymta të rënies së diktaturës së Enves Hoxhës.

Ai njihet si mik i mirë i Shqipërisë dhe e ka vizituar atë disa herë.

Top Channel