Aubameyang boshatis banesën. Transferohet te PSG?

31/05/2017 00:00

Pierre-Emerick Aubameyang i ka ditët e numëruara te Borussia Dortmund. Këtë javë, media gjermane e bëri fakt të kryer largimin e sulmuesit afrikan nga verdhezinjtë, e ai që e tregon këtë është fakti se futbollisti ka boshatisur banesën e tij në Gjermani, përpara se të shkojë me pushime.

Ideja është që pas kthimit nga këto pushime, Aubameyang të bashkohet menjëherë me klubin e ri, që sipas medias franceze do të jetë Paris Saint Germain.

Mësohet se klubi transalpin i ka ofruar futbollistit nga Gaboni një kontratë të majme, që parashikon një pagë prej 14 milionë eurosh në sezon, që do ta bëjë atë futbollistin më të paguar të skuadrës, së bashku me Cavanin e Thiago Silvën.

Gjatë kësaj jave, Aubameyang është takuar me vet presidentin e Paris Saint Germain, Nasser Al-Khelaifi, dhe në ditët në vazhdim mund të zyrtarizohet transferimi i tij në kryeqytetin francez.

Pierre-Emerick Aubameyang ishte shënuesi më i mirë në Bundesligën gjermane në këtë sezon, me 31 gola të shënuar. Kësaj shifre i shtohen 7 golat e shënuar në Champions League dhe dy në Kupën e Gjermanisë. Aubameyang kishte një kontratë deri në vitin 2020 me Borussia Dortmund, por që duket se nuk do ta respektojë.

Top Channel