Në listë edhe Hysaj, por Griezmann është më “i shtrydhuri” këtë sezon

31/05/2017 00:00

Antoine Griezmann është futbollisti që ka luajtur më shumë ndeshje sesa çdo lojtar tjetër, pjesë e 5 kampionateve më të rëndësishme në Europë.

Ky është përfundimi i dalë nga studimi i Observatorit të Futbollit “CIES”, që ka marrë për bazë minutat e luajtura prej futbollistëve që nga 1 korriku i vitit 2016 e deri tani, në përfundim të sezonit futbollistik.

Sipas “CIES”, sulmuesi francez i Atletico Madrid rezulton se është aktivizuar në 63 ndeshje, duke luajtur plor 5.454 minuta, që do të thotë më shumë se 90 orë futboll.

Në vendin e dytë pozicionohet futbollisti i Leicester CIty, Wilfried Ndidi, me 61 ndeshje apo 5.290 minuta, ndërkohë që podiumi plotësohet nga një tjetër futbollist i Atletico Madrid, Koke, me 62 ndeshje apo 5.274 minuta.

Në listën e 10 futbollistëve “më të shtrydhur” në fushën e lojës janë edhe Neymar, Paul Pogba e Luis Suarez. Sulmuesit e Barcelonës janë të renditur në vendin e 6 dhe të 9 respektivisht, me 5.153 e 4.290 minuta aktivizim, ndërsa Pogba është i shtati me 5.089 minuta në fushat e gjelbra.

Lionel Messi është në vendin e 14, me 4.814 minuta aktivizim, ndërkohë që Cristiano Ronaldo pozicionohet në vendin e 27. Mes futbollistëve që janë aktivizuar më shumë është edhe Elseid Hysaj, me mbrojtësin e përfaqësueses shqiptare që ndodhet në vendin e 32-të, me 4.473 minuta të luajtura në këtë sezon.

Top Channel