Itali, “FIGC” kërkon Maldinin si menaxher të kombëtares

31/05/2017 00:00

Paolo Maldini mund të bëhet pjesë e kombëtares italiane, në rolin e menaxherit të skuadrës. Kjo është ideja e fundit e hedhur nga Federata italiane e Futbollit, “FIGC”, e cila po kërkon zëvendësuesin e Lele Orialit, i cili në muajin korrik, pas përfundimit të Europianit të moshave U21, do të kthehet të punojë për Interin.

Gjithsesi, rruga e Maldinit për të qenë pjesë e “të kaltërve” nuk është e lehtë. Ditët e ardhshme pritet të zhvillohet një takim mes palëve, në lidhje me këtë çështje, përpara se të merret një vendim përfundimtar.

Por për rolin e menaxherit të kombëtares italiane ka edhe kanditatura të tjera, e një prej tyre është Marco Tardelli, ndërkohë që trajneri Ventura ka propozuar emrin e Francesco Tottit. Por Federata kërkon që të sjellë në kombëtare një emër të madh, që ka bërë historinë në futboll, siç është Paolo Maldini.

Ish-mbrojtësi italian i Milanit, që u tërhoq nga futbolli në vitin 2009, është në pritje të një telefonate për të bërë më pas edhe vlerësimin e ofertës. Në këtë pikë, presidentit Tavecchio i duhet të bëjë një punë shumë të madhe për ta bindur Maldinin të marrë këtë detyrë, ndërkohë që një përpjekje e bëri edhe Fassone për ta kthyer te Milani, por që nuk pati sukses.

Top Channel