Inter, në sulm për Belottin. 70 mln euro dhe 3 lojtarë

31/05/2017 00:00

Andrea Belottin e duan të gjithë. Tashmë edhe Interi e shënon emrin në garën për blerjen e kartonit të sulmuesit italian të Torinos.

Sipas të përditshmes “Tuttosport”,  zikaltrit iu kanë ofruar drejtuesve të klubit “granata”, 70 milionë euro, si dhe Ranocchian, Santon e një futbollist tjetër.

Por problemi për Interin dhe “Suning” është pikërisht presidenti i Torinos, Cairo, i cili vazhdon t’u rezistojë ofertave që vijnë për Belottin, duke e refuzuar edhe këtë propozim të fundit.

Andrea Belotti me Torinon ka një kontratë ku është e përfshirë një klauzolë për zgjidhjen e saj prej 100 milionë eurosh, që vlen vetëm për klubet jashtë Italisë, e Cairo dëshiron që ta mbajë atë edhe për të paktën një sezon tjetër.

Nga ana tjetër, edhe vet Belotti është shprehur i gatshëm që të qëndrojë në Torino, për ta drejtuar skuadrën drejt Europa League, e për të fituar një vend në përfaqësuesen italiane për Botërorin 2018.

Por propozimet që vijnë nga klubet më të rëndësishme europiane, sidomos nga ato angleze, janë shumë tunduese dhe nuk dihet sesa do të mund t’u rezistojë sulmuesi italian.

Top Channel