Debatet në seancën e Parlamentit maqedonas kanë vazhduar përgjatë të gjithë ditës së martë, ku Zoran Zaev paraqiti emrat e kabinetit të tij dhe programin qeverisës.

I fundit në foltore u ngjit deputeti i LSDM-së, Petre Shilegov, i cili tha se nuk do t’i falë ngjarjet e 27 prillit, duke akuzuar edhe kolegët e tij nga radhët e VMRO-DPMNE-së se qëndrojnë pas dhunës.

Pas fjalimit të tij, kryetari Talat Xhaferi ftoi të gjithë deputetët të mblidhen të mërkurën në orën 12:00 për të votuar programin dhe përbërjen e re qeveritare.

Votimi, me shumë gjasë do të mbyllet në orët e vona të mbrëmjes. Kundërshtitë e mëdha ndaj listës së ministrave të Zaevit erdhën nga deputetët e opozitës, VMRO-DPMNE-së dhe Besës. Ata i përshkruan personat e përzgjedhur si njerëz pa kapacitete reformuese, e të përfshirë në afera korruptive dhe hetime.

BDI-ja kritikoi VMRO-DPMNE-në për shumë vendime të saj në dëm të qytetarëve, por kjo e fundit i konsideroi të paqarta kritikat e partnerit të deritanishëm, me të cilin ka ndarë pushtetin. E mërkura është edhe afati i fundit për zgjedhjen e qeverisë. Partitë përbërëse të kabinetit numërojnë 62 deputetë në Kuvend, ndërsa ekzekutivi mund të zgjidhet me të paktën 61 vota pro.

Top Channel