Punësimi nga portali. Mësuesja: Fitova, por ende jam e papunë

30/05/2017 00:00

Një mësuese nga Gjirokastra, fituese në portalin e punësimit të mësuesve, është ende e papunë. Ajo tregon për Top Channel se kishte komunikuar me kryeministrin dhe ministren e Financës dhe pavarësisht kësaj, ende nuk është bërë pjesë e sistemit të arsimit publik.

Antonela Zotkaj është një nga 5 fitueset e portalit “Mësues për Shqipërinë” në Gjirokastër, e megjithatë është e papunë.

“Kam punuar në vitin 1999 në shkollën 9-vjeçare “Naim Frashëri, këtu në Gjirokastër. Më vonë jam transferuar në Skrapar. Që nga viti 2013 jam pa punë”, thotë Zotkaj.

Ky është viti i dytë që mësuese Antonela ka konkurruar përmes portalit “Mësues për Shqipërinë” për të filluar punë si mësuese, pasi, sipas saj, vitin e parë nuk e lanë të merrte pjesë në testim sepse nuk i figuronte emri në sistem.

“Një vit më vonë pasi u bë portali, bëra dosjen nga e para dhe hyra në testim. Më morën në telefon nga Drejtoria Arsimore dhe më thanë që jam te 5 më të mirët, por nuk më ofruan asnjë vend pune”, tregon Zotkaj.

Mësuesja sërish nuk u dorëzua. Ajo iu drejtua kryeministrit Edi Rama për zgjidhje. “Kryeministri më kërkoi numër kontakti dhe më kërkoi ndjesë. Më ka marrë Ministria e Arsimit dhe më tha që duhet të futem në punë. Por, nuk është bërë asgjë”, thotë Zotkaj.

Sipas udhëzimit numër 38 të Ministrisë së Arsimit për emërimet dhe largimet e mësuesve nga puna, 5 mësuesit e parë të shpallur fitues në konkursin “Mësues për Shqipërinë” kanë të drejtë ta zgjedhin vetë shkollën ku duan të punojnë. Por, që kjo të ndodhë, duhet të ketë vende të lira pune, të shpallura nga drejtoritë përkatëse arsimore. Pra, duhet që një mësues të ketë dalë në pension, të ketë dhënë dorëheqjen, të jetë dënuar me vendim të formës së prerë apo të jetë larguar nga detyra për arsye disiplinore.

Në rastin e Antonelës nuk dihet ende se cila është arsyeja që e ka lënë pa punë.

Top Channel