Zidane, dilema për finalen. Isco apo Bale si titullar?

30/05/2017 00:00

Zinedine Zidane tregoi qetësinë e një favoriti, pak ditë përpara finales në Champions League ndaj Juventusit.

Trajneri i Realit të Madridit e di mirë sesi shënohet në ndeshjet që vendosin trofetë, pasi disa prej golave të tij përdoren edhe sot e kësaj dite, si spote për futbollin e bukur.

“Zizu” kërkon t’i shtojë një tjetër trofe elitar bilancit të 11 kupave, që qëndrojnë në muzeun e “Los Blancos”, por për këtë duhet të kalojë kampionët e Italisë.

Shumë pyetje kanë nisur të përqëndrohen te dilema më e madhe, nëse do të jetë Gareth Bale idhulli i shtëpisë në fushë, apo do të luajë nga minuta e parë spanjolli Isco.

“E rëndësishme është që të gjithë futbollistët të jenë mirë, duke përfshirë Bale, i cili ka një dëshirë të madhe për të luajtur. Nuk kam vendosur ende, por e di se ç’duhet të bëj. Problemi im kryesor është që duhet të dërgoj në tribunë 4-5 futbollistë, që kanë dhënë gjithçka këtë sezon, e kjo më bën të ndihem keq. Finalja është 50% me 50% dhe nuk jam dakord me ata, që na cilësojnë neve si ekipin sulmues më të mirë, apo Juven si ekipin me mbrojtjen më të mirë”, tha Zidane për finalen e 3 qershorit në Kardif.

Top Channel