Dortmundi shkarkon Thomas Tuchel

30/05/2017 00:00

Thomas Tuchel nuk është më trajneri i Borussia Dortmund. Klubi gjerman vendosi ta shkarkojë atë nga detyra, pas vetëm dy sezonesh, pavarësisht triumfit të verdhezinjve në Kupën e Gjermanisë.

Largimi i Tuchel mendohet se ka ardhur për shkak të problemeve në raportet mes tij dhe disa prej futbollistëve të Borussia Dortmund. Sipas të përditshmes gjermane “Bild”, Borussias tashmë do të duhet t’i paguajë Tuchelit një dëmshpërblim prej 2.9 milionë eurosh, për shkak të zgjidhjes së parakohshme të kontratës me të.

Thomas Tuchel mori drejtimin e Borussia Dortmund në vitin 2015, kur zëvendësoi Jurgen Klopp, që e la skuadrën nga “Signal Iduna Park” pas 7 sezonesh.

Në sezonin e parë nën drejtimin e Tuchel, Borussia Dortmund e mbylli kampionatin në vendin e dytë, ndërkohë që u shfaq Aubameyang, i cili mori rolin e sulmuesit kryesor pas largimit të Mkhitaryan te Manchester United.

Ndërsa këtë sezon, verdhezinjtë dolën të tretët, pas skuadrës surprizë Leipzig, që vinte nga Bundesliga 2. Tani, drejtuesve të Borussia Dortmund u duhet të nisin punën për gjetjen e një trajneri të ri, e për momentin, kandidatët janë Lucien Favre i Nicës, Julian Nagelsmann i Hoffenheimit dhe Peter Stogger i Këlnit.

Top Channel