Wenger reziston. Tekniku francez rinovon me Arsenalin

30/05/2017 00:00

U fol shumë për largimin e tij nga Arsenali, por në fund, Arsene Wenger rezistoi.

Francezi, që është në krye të “Topçinjve” të Londrës prej 21 vitesh, rinovoi kontratën me klubin anglez edhe për dy sezone të tjera, lajm ky që u bë i ditur nga rrjeti BBC.

Ditën e hënë, Wenger zhvilloi një takim me pronarin e Arsenalit, Stan Kroenke, me këtë të fundit që ia la bordit drejtues detyrën për të marrë vendimin në lidhje me të ardhmen e trajnerit.

Gjithnjë sipas BBC, Arsenali do të zyrtarizojë rinovimin e kontratës me Wenger ditën e mërkurë.

“Topçinjtë” e Londrës e mbyllën në vendin e 5-të Premier Leaguen, duke mbetur jashtë Championsit për herë të parë që nga viti 1996.

Në 9 sezonet e para nën drejtimin e Wenger, Arsenali arriti të fitojë 3 tituj kampionë në Premier League dhe 4 trofe në FA Cup.

Në sezonin 2003-2004, ai u bë trajneri i parë në Angli, që nga viti 1888-1889, që drejtoi skuadrën e tij drejt fitimit të kampionatit pa pësuar asnjë humbje.

Pas vitit 2005, kur fitoi “FA Cup”, Arsenalit iu desh të presë 9 vite të tjera për të ngritur një trofe, që ishte pikërisht “FA Cup”, pasi mundi në finale Hull City, një sukses të cilin Arsenali e përsëriti këtë vit, pasi mundi Chelsean.

Top Channel