“Giro d’Italia”, Zhupa mes më të spikaturve

30/05/2017 00:00

Thuajse 29 milionë italianë u përfshinë nga emocionet e turneut prestigjioz të çiklizmit në Apenine, që u mbyll këtë fundmuaji, me kulmin që u regjistrua në etapën e fundit.

Nëse këtyre i shtohen postimet në rrjetet sociale dhe ndjekësit jashtë Apenineve, atëherë “Giro d’Italia” merr formë të plotë me frekuencën e saj, si një edicion që imponoi respekt.

Ndërkohë, për mediet është koha e votave dhe një e tillë mëse të merituar iu rezervua kampionit shqiptar të çiklizmit. Eugert Zhupa, në xhiron e tretë në karrierë fitoi superlativa, falë protagonizmit në terren duke marrë notën 8.

“Rrallë mund të mos ta gjeje në arrati. Ai garoi pjesën e parë të Giro d’Italia si një sulmues i mirëfilltë, pa u kursyer asnjëherë. Kur qëndron brenda grupit, e bën vetëm për të ndihmuar Mareczkon dhe e bën shumë mirë, duke çuar përpara në kilometrin e fundit. Një çiklist i qëndrueshëm, që meriton padyshim të përmendet”.

Shqiptari Eugert Zhupa u pa shpesh në garën e Apenineve të spikaste me sprintin tradicional, mes më të mirëve në skuadrën e tij “Willier Triestina”.

Top Channel