Skënderbeu, rreziku “pezull”. Etika shtyn vendimin

30/05/2017 00:00

Çështja më e nxehtë e Komisionit të Etikës, këtë vit në futbollin shqiptar, ajo që përfshin Skënderbeun, duket se do të vazhdojë të qëndrojë pezull për të paktën edhe një javë.

I mbledhur këtë të martë, me fokus vetëm te skuadra korçare, Komisioni i Etikës vendosi të shtyjë deri më 8 qershor vendimin për të penalizuar apo jo “Ujqërit e dëborës”, nën presionin e UEFA-s.

Kjo e fundit, e cila dënoi Skënderbeun një vit më parë, ka kërkuar me ngulm reagim edhe nga “qeveria” e futbollit shqiptar, me disa variante që qarkullojnë si, zbritja një kategori më poshtë, heqja e titullit vitin e kaluar, apo heqja e pikëve.

Por Etika ka preferuar që të japë vendimin e saj pas epilogut të sezonit, që pret dhe finalen e Kupës së Republikës mes Skënderbeut dhe Tiranës.

Këto janë dy skuadra të përfshira në mënyrë të drejtpërdrejtë, pasi në rast të zbritjes së Skënderbeut, ka shumë mundësi të përfitojë Tirana, që ra nga elita për herë të parë në histori.

Ndërkohë, gjatë kësaj kohe, FSHF-ja është e detyruar të regjistrojë Skënderbeun në Europa League, një kompeticion të cilin ia mundësoi renditja finale e Kategorisë Superiore këtë vit, së bashku me Partizanin.

Top Channel