Hoti, rivali i Haradinajt: Dialog me fqinjët, dyfishim të buxhetit

30/05/2017 00:00

Obiliqi është qyteti i energjisë në Kosovë. Avdullah Hoti, ish-ministër i Financave është kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministër. Ai premton një energji të re me koalicionin bashkë me Behgjet Pacollin dhe partinë e re Alternativa.

Qytetarëve u premton ndihmë për zhvillimin ekonomik dhe kujdes për problemet e tyre.

Lista e LDK-së është një listë ekspertësh dhe njerëzish të dëshmuar, thotë Hoti, andaj ekipi i tij është i gatshëm për të qeverisur.

“Me ide që shkojnë ne esencë dhe prekin jetën e qytetarit të zakonshëm. Sot jeta e qytetarit është kjo që bujku që të ketë mbështetje për të zhvilluar fermën dhe arat. Për të siguruar të ardhurat bazike për familjen e vet. Studenti dëshiron të ketë perspektive sapo ta kryejë arsimimin. Pacienti që shkon në spital të ketë trajtim e nevojshëm”, shprehet Avdullah Hoti, kandidat për kryeministër nga LDK-AKR-Alternativa.

Hoti thotë se problemet e ngelura pa u zgjidhur në Kuvendin e Kosovës do të zgjidhën kujdesshëm dhe në mënyrë të qartë. Kosova do të kërkojë zgjidhje për problemet me fqinjët.

“Është në interesin më të mirë të Kosovës që të normalizojë marrëdhëniet me të gjitha vendet fqinje. Tek dialogu me Serbinë jemi shtet që aspirojmë integrimin e plotë në Bashkimin Europian dhe nuk ka alternativë, por gjithmonë duke mbrojtur interesat e qytetarëve të Kosovës, interesat e shtetit të Kosovës. Unë jam i vendosur që bashkë me partnerët e koalicionit t’i japim një kuptim të ri dialogut duke përcaktuar qartë temat që do të diskutojmë në këtë dialog”, shprehet për Top Channel, Hoti.

LDK dhe Hoti kanë premtuar dyfishimin e buxhetit të Kosovës dhe luftën kundër korrupsionit.

Top Channel