Zoran Zaev paraqiti në Kuvendin e Maqedonisë, listën e përbërjes së kabinetit të ri dhe programin qeverisës. “Ekzekutivi i ri do të angazhohet për integrimin e vendit në strukturat euroatlantike”, u shpreh kreu i LSDM-së.

“Republika e Maqedonisë të ecë përpara dhe qytetarët e saj të kenë një jetë më të mirë. Maqedonia do të jetë shtet i të gjithëve. Marrim përgjegjësi që t’i zbatojmë të gjitha reformat, që janë pjesë e Marrëveshjes së Përzhinës”, deklaroi Zaev.

Njeriu që do të marrë frerët e qeverisë u zotua gjithashtu të vërë në fokus të ekzekutivit rritjen ekonomike, e premtoi rritjen e pagës minimale.

Ndër prioritetet e qeverisë së Zaevit do të jetë edhe zhvillimi i barabartë rajonal. Reforma më e madhe, megjithatë, do të mbetet ajo në sistemin gjyqësor.

Seancën parlamentare, kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi e nisi në gjuhën shqipe, gjë që solli një përplasje verbale me deputetët e VMRO-DPMNE-së. Pas kësaj, Xhaferi theksoi se deri në miratimin e ndryshimeve të ligjit për përdorimin e gjuhëve, seancat do t’i drejtojë në gjuhën maqedonase.

Qeveria duhet të zgjidhet dy ditë pas fillimit të seancës, më e shumta deri mesnatën e së mërkurës. Për këtë nevojiten votat e të paktën 61 deputetëve.

Ndërkohë, LSDM-ja, BDI-ja dhe Aleanca për Shqiptarët kanë së bashku 62 deputetë në Kuvendin 120-anëtarësh. Dy partitë politike shqiptare do të drejtojnë 7 ministri dhe një dikaster pa portofol.

Top Channel