Gjashtë “mallkimet” e Realit në Kardif

29/05/2017 00:00

Në Kardif Reali dhe Juventusi shkojnë me disavantazhet dhe avantazhet e veta, por ashtu siç dy trajnerët kanë deklaruar shpesh, finalet e këtij lloji përcaktohen nga episodet dhe ndoshta edhe…fati.

E pikërisht, bazuar tek ky i fundit gazeta sportive spanjolle, Marca ka sjellë gjashtë “mallkimet” e madrilenëve në këtë finale.

Së pari, që kur Champions League i zuri vendin Kupës së Kampionëve duke ndryshuar edhe formatin, asnjë skuadër nuk ka arritur ta fitojë këtë trofe dy herë radhazi. I pari që e tentoi ishte Milani, që pasi mposhti Barcelonën 4-0 në finalen e 1994, u dorëzua 1-0 përballë Ajaksit një vit më vonë. Vetë Ajaksi e dorëzoi trofeun më pas tek Juventusi dhe këta të fundit tek Dortmundi. Në 2008, Manchester United mposhti Chelsean me penallti, por humbi në finalen pasardhëse 2-0 ndaj Barcelonës.

Së dyti, që kur është themeluar botërori i klubeve, 17 vite më parë, asnjë skuadër nuk ka arritur që në të njëjtin sezon që fiton këtë trofe, të fitojë edhe Ligën e Kampionëve.
 
Së treti, frika nga ish-ët. Në 2015, dy gola të Moratas dërguan në finale Juventusin dhe e njëjta gjë kishte ndodhur edhe në vitin sezonin 2003-2004, por me protagonist Morientes, që me Monakon eleminoi ish-skuadrën e tij, “Los Blancos”.  Në Madrid i tremben përsëritjes së të njëjtit skenar, por këtë herë nga Higuain dhe Khedira, që të dy ish-madrilenë.

Së katërti, një tjetër rastësi…në pesë titujt Champions që ka Reali (shto edhe gjashtë të Kupës së Kampionëve, 11 në total), asnjë nuk është fituar në një vit tek siç është 2017. E shtata është fituar në vitin 1998 ndaj Juventusit, e teta në 2000 kundër Valencias, e nënta në vitin 2002 ndaj Bajer Leverkusen, e 10 dhe e 11-ta kundër Atletikos së Madridit përkatësisht në 2014 dhe 2016.

Së pesti, rregulli i shtatës. Që kur është krijuar formati i ri, çdo shtatë vjet kupa me dy veshë fitohet nga një skuadër italiane, duke nisur nga 1996 e fituar pikërisht nga Juventusi. Në 2003 ishte radha e Milanit, në 2010 ajo e Interit dhe në 2017… për këtë duhet pritur 3 qershori.

Së gjashti, frikë nga ngjyra vjollcë. Me këtë ngjyrë do të jetë “i detyruar” të luajë Reali “mik” në finalen e Kardifit. Kjo është fanela e dytë e skuadrës së Zidane, që nuk i ka sjellë fort fat. Pikërisht me këtë fanelë skuadra “merengues” është mposhtur në Valencia dhe Sevilja dhe në total numri i ndeshjeve të humbura këtë sezon me këtë ngjyrë është 40 përqind.

Top Channel