F1, Hamilton: Nuk mund t’ia lejoj vetes një tjetër fundjavë zhgënjyese

29/05/2017 00:00

“Nuk mund t’ia lejoj vetes një tjetër fundjavë zhgënjyese”. Kështu shprehet Lewis Hamilton, duke iu referuar asaj të kaluar në Montecarlo, sigurisht nëse do të tentojë të mposhtë rivalin e tij, Sebastian Vettel, në garën për të fituar titullin kampion në Formula 1.

Piloti i Mercedesit ndodhet tashmë 25 pikë pas gjermanit Vettel, pasi ky i fundit arriti fitoren e parë për Ferrarin në Principatë pas 16 vitesh, ndërsa Hamilton mundi të rikuperonte vetëm 6 pozicione duke e mbyllur garën në vendin e 7. Një eliminim shokues në sesionin e dytë të provave zyrtare e la Hamiltonin të 13-in në radhën e nisjes për Çmimin e Madh të Monakos, por gjithsesi, britaniku mundi të rrëmbente 6 pikë, në atë që mund të konsiderohet si rast për të zvogëluar sadopak dëmet.

Kjo ishte gara e dytë në këtë sezon, që Hamilton dështoi të përfundonte në podium, ndërsa Vettel gjatë këtij viti nuk ka zbritur kurrë nga vendi i dytë. Britaniku dështoi të kapte një ndër 3 vendet e para edhe në Rusi.

Hamilton e pranon se Mercedesi ka ende shumë punë për të bërë, në mënyrë që të korrigjojë performancat pa vazhdimësi të këtij viti.

“Sigurisht që nuk mund t’ia lejoj vetes një tjetër fundjavë si kjo e Monakos, – tha Hamilton. – Por, vetëm për faktin që nuk mund t’ia lejoj vetes, kjo nuk do të thotë se diçka e tillë nuk do të ndodhë më. Nuk duhet të rrimë e të mendojmë atë që është e papërballueshme për ne, por të punojmë për të korrigjuar çfarëdolloj problemi që kemi ndeshur, në mënyrë që të mos përsëritet sërish. Nuk është se erdhëm këtu të papërgatitur, thjesht gjërat nuk shkuan siç duhej për ne”.

“Ferrari duket se po punon në çdo aspekt dhe 14 garat e ardhshme do të jenë shumë, por shumë të vështira për ne”, shtoi më tej britaniku. “Ata kanë makinën më të fuqishme sot për sot, ashtu siç e kishim ne vitin e kaluar që funksiononte më së miri në çdo aspekt. Por kjo makinë e sivjetshme duket se jo gjithçka e ka siç duhet. Megjithatë, sa më shumë gara zhvillojmë, aq më shumë mundemi të nxjerrim mësime për t’u forcuar edhe më tej”.

Pavarësisht problemeve të Mercedesit në Monako, Hamilton është gjithsesi i kënaqur që mundi të siguronte disa pikë, të cilat sipas tij mund të rezultojnë “të vyera” në javët e fundit të garës për titullin kampion.

Top Channel