Lamtumira prekëse e një legjende…dhe letra për tifozët

29/05/2017 00:00

Legjenda luajti 44 minutat e fundit me fanellën e Romës, duke fituar jo vetëm mbështetjen e shokëve të skuadrës, por edhe vendin e dytë në Serie A teksa mposhtën Genoan. Për të vijuar më pas me festën e tij, festën e një qyteti që e adhuroi dhe që do ta dojë përjetësisht.

Francesco Tottit iu rezervua një lamtumirë mitike. Më saktë, Roma i la vendin e merituar kapitenit legjendar, ndërsa publiku e përshëndeti në një mënyrë që vështirë se mund të ketë edhe më mirë.

Të gjithë me kartona me numrin 10 në shkallët e “Olimpico”-s, ndërsa në mesin e fushës zbarkonte fanella gjigante me numrin 10 të kapitenit. Qindra parulla falenderimi dhe mirënjohjeje, por edhe shumë lotë gëzimi. Kjo, sepse me largimin e Tottit nuk ikën vetëm një pjesë historike e futbollit italian, por largohet biri më i dashur i një qyteti, për të cilin ka gëzuar dhe ka vuajtur po aq shumë.

Për Zdenek Zeman, lamtumira e Tottit ishte një tragjedi. “Më vjen keq për Tottin, sepse nuk ishte ai që vendosi të varte këpucët në gozhdë. Sot (dje) nuk është një festë, por një tragjedi. Unë do t’i këshilloja të vazhdonte të luante, sepse ai ka ende dëshirë ta bëjë këtë gjë. Ndoshta jo në Itali, por diku tjetër do të mund të gjende një skuadër që t’i përgjigjej cilësive të tij”, ka thënë Zeman.

Por Francesco pati edhe disa fjalë që i buronin nga shpirti, dedikuar 65 mijë tifozëve të pranishëm në ndeshjen e tij të fundit. Ishte me të vërtet një skenë sa e bukur, aq edhe përlotëse.

“Erdhi momenti. Më duhet t’iu them faleminderit juve, të gjithëve ju për këto 25 vite që kemi kaluar së bashku, me këtë fanellë, vetëm me këtë fanellë. Gjatë këtyre ditëve kam lexuar shumëçka rreth meje, që të gjitha shumë të bukura. Kam qarë gjatë të gjithë këtyre ditëve, madje shumë dhe i vetëm. Këto ditë kam folur me bashkëshorten time, i kam rrëfyer 25 vitet e përjetuara me këtë fanellë unike. Kemi shkruar edhe një letër për ju. Faleminderit të gjithëve, faleminderit nënë, baba, vëlla, grua, faleminderit fëmijëve të mi, por edhe të gjithë miqve. Është e pamundur të rrëfej 25 vitet e jetës sime futbollistike, sepse nuk di si ta bëj. Do të doja ta bëja me një poezi, me një këngë, por nuk di. Di ta bëj vetëm me topin në këmbë. E mallkuara kohë vendosi për mua. Sot erdhi momenti që dikush të trokiste te shpatullat e mia për të më thënë: sot je thjesht një burrë, zhvishu nga takat dhe tutat sportive, nuk mund ta ndiesh më erën e fushave të blerta, as golat… Sot je thjesht një burrë… Më dukej vetja si në ëndërr, nga e cila jam zgjuar sot. Pikërisht sot, sepse tashmë është një realitet. Këtë letër iua dedikoj vetëm juve, të gjithëve ju që keni thirrur pa rreshtur dhe ende thërrisni “Totti-gol”. Sot merr fund gjithçka, me të vërtetë. E vesha fanellën për herë të fundit. Por nuk jam gati për t’i dhënë fund, ndoshta nuk do të mund ta bëj kurrë këtë. Jam gjithnjë i përulur përpara kësaj fanelle. Më falni nëse nuk kam folur shumë gjatë kësaj periudhe. T’i japësh fund një karriere nuk është kurrë e lehtë. Sot kam vërtet frikë, sepse nga sot nuk është thjesht një çështje si të jesh përpara portierit kundërshtar, e të më duhet të godas një 11-metërsh. Nuk e di se çfarë fshihet pas rrjetës së portave. Sot jam pikërisht unë që kam, më shumë se kurrë më parë, nevojë për ju dhe për ngrohtësinë tuaj. Atë ngrohtësi që më keni dhënë gjithmonë. Falenderoj të gjithë, shokët e mi të skuadrës, drejtuesit, e të gjithë trajnerët që kanë qenë me mua në këto 25 vite. Tifozët? I falenderoj të gjithë pa përjashtim. Por mbi të gjithë ata të ‘Curva Sud’, sepse të lindësh romanist është një privilegj. Të isha kapiten i Romës ka qenë një nder dhe krenari për mua. Zemra ime do të jetë përjetë aty me ju. Sot do të zbres për herë të fundit shkallët e dhomave të zhveshjes, të cilët më mirëpritën qysh fëmijë, e po i braktis tashmë që jam burrë. Jam krenar dhe i lumtur që iu kam dhënë kaq shumë, maksimumin që mundesha të jepja. Ju dua të gjithëve!”.

Sa i përket topit të futbollit, legjenda e Romës shkroi thjesht “Do të më mungosh” në atë të fundit që goditi në karrierën e tij, jo vetëm në ndeshjen ndaj Genoas, por atë që ua hodhi më pas tifozëve besnikë të Romës, atyre të “Curva Sud”. Ishte pikërisht ky xhesti simbolik i lamtumirës së tij ndaj Romës, që duket edhe si lamtumirë ndaj futbollit të luajtur.

Një mesazh për të vjen edhe nga pronari amerikan i Romës. “Për të të thënë faleminderit, mundem të të jap vetëm atë që kam: fanellën, ngjyrat, dashurinë dhe besnikërinë. Pikërisht atë që kemi parë tek ty, pikërisht atë që jemi ne. Të uroj më të mirat Francesco”, shkruan James Pallotta në fanellën e dhuruar Francesco Tottit.

Pas kësaj dhurate, erdhi edhe përqafimi me shokët e skuadrës, e më tej me familjen në fushë bëri edhe xhiron përreth stadiumit “Olimpico” të tejmbushur, të përlotur dhe që me ritëm të sinkronizuar e duartrokisnin. Lamtumira e Tottit, me kolonën zanore të “Mbretit luan” në sfond, me përlotjen e të gjithë stadiumit ishte me të vërtet prekëse, por tejet e rafinuar. Kapiteni, që mbante në krah vajzën më të vogël dhe pjesën tjetër të familjes që e shoqëronte, përshëndeti për herë të fundit publikun roman, pa i fshehur dot as lotët nga sytë e tij.

Top Channel