Kryetarja e Bashkisë së Parisit bëri thirrje për ndalimin e një festivali të feministeve me ngjyrë, për shkak se përjashton të bardhët. Në Festivalin “Nyansapo”, që zhvillohet në korrik, 80% e vendeve janë të rezervuara për femrat me ngjyrë.

Njerëzit me ngjyrë, të çdo gjinie, do të lejohen në zonën e dytë të festivalit, ndërsa e treta është e hapur për të gjithë. Por kryebashkiakja e Parisit, Anne Hidalgo tha se ka të drejtën që të padisë organizatorët për diskriminim.

Disa organizata franceze antiracizëm e kanë dënuar ashpër këtë festival. Një pjesë e tyre e cilësuan festivalin një turp dhe një ligjërim të ndarjeve etnike, ndërsa organizata “Licra” tha se Rosa Parks, aktivistja e famshme për të drejtat e njerëzve me ngjyrë do të jetë kthyer në varr.

Të premten, ishte partia e ekstremit të djathtë “Fronti Nacional”, që i kërkoi kryebashkiakes Hidalgo të shpjegonte këtë festival racist.

Organizatorët e këtij të fundit thonë se janë bërë prè e një fushate keqinformimi, madje akuzuan disa organizata antiracizëm që janë kthyer kundër tyre, por nuk kundërshtuan faktin e ndarjes së pjesëmarrësve në festival, sipas ngjyrës dhe seksit. Ata thanë gjithashtu se, kryebashkiakja Hidalgo nuk ka juridiksion mbi këtë festival, që po zhvillohet sipas të gjitha rregullave.

Top Channel