Lëvizja Besa nuk do të jetë pjesë e qeverisë së re maqedonase. Kryetari i Besës Bilal Kasami e konfirmoi këtë, në një konferencë për median, pas mbledhjes së kryesisë dhe këshillit qëndror të kësaj force politike.

“Lëvizja Besa njofton opinionin se nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme të Maqedonisë, për shkak se mandatari i formimit të qeverisë, nuk ishte i gatshëm të pranojë parimet e bashkëqeverisjes dhe t’i nënshkruajë ato në një kontratë”, tha kryetari i Besës. 

Kasami tha se është krenar që Besa ishte pjesë e gjithë procesit për rrëzimin e regjimit Gruevski-Ahmeti, por shtoi se detyra e tyre nuk ka përfunduar ende.

Ndërkohë që më herët, Bashkimi Demokratik për Integrim, zyrtarizoi emrat e ministrave të tij, në kabinetin qeveritar.

Emrat e propozuar nga BDI janë Hazbi Lika – Zv/kryeministër për Sistem Politik dhe Marrëdhënie midis Komuniteteve, Bujar Osmani – Zv/kryeministër për Çështje Evropiane, Sadulla Duraku – Ministër i Ambientit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Ramiz Merko – Ministër pa portofol, Kreshnik Bekteshi – Ministër i Ekonomisë dhe Bylent Salihu – Ministër i Drejtësisë.

Emrat kanë ngjallur një farë polemike dhe burime nga LSDM thonë se do të diskutojnë me Ahmetin për zëvendësimin e atyre që dëmtojnë imazhin e qeverisë reformatore.

Lideri i kësaj të fundit, Zoran Zaev, pasi u zgjodh sërish kryetar i LSDM pa asnjë rival, deklaroi në kongresin e partisë se ka shumë punë për të bërë dhe se nuk do të lejojë përsëritjen të keqes që VMRO-DPMNE i bëri shtetit maqedonas.

Top Channel