Juve e mbyll me fitore dhe një rekord të talentit Kean

28/05/2017 00:00

Juventusi e ka mbyllur kampionatin me një fitore të arritur me përmbysje ndaj Bolonjës, ndërkohë që tashmë e ka kthyer fokusin vetëm te përgatitja e finales së Champions League ndaj Realit të Madridit.

Në “Dall’Ara”, kampionët e Italisë kishin zbritur thjesht për të ruajtur ritmin e lojës për titullarët kryesorë, ndaj dhe pjesa e parë ishte disi e zbehtë, pa raste dhe këmbëngulje nga palët. Por Taider zhbllokoi rezultatin në minutën e 52-të të takimit, duke befasuar portierin e tretë të Juventusit, Audero, i cili debutonte me bardhezinjtë.

Reagimi i “Zonjës së vjetër”, gjithsesi nuk mungoi. Ishte argjentinasi Dybala që do të barazonte fillimisht shifrat në minutën e 70, ndërkohë që një tjetër talent si Moise Kean do të shënonte golin e fitores në minutën e 4-t shtesë.

Me këtë gol, Kean ka hyrë në histori. Kjo sepse sulmuesi 17-vjeçar, jo vetëm shënoi golin e tij të parë në Serie A, por shënon edhe një rekord tjetër. Ai kishte qenë i pari futbollist i lindur pas vitit 2000 që debutonte në një prej kampionateve elitare të Europës. Po ashtu i pari që debutonte në Champions, ndërsa këtë herë e shënon emrin e tij si i pari i brezit të mijëvjeçarit të ri që shënon në një nga 5 kampionatet më të forta europiane.

Debutimin në Serie A e kishte shënuar më 19 nëntor 2016 në fitoren 3-0 të Juventusit ndaj Pescarës. Ndërsa më 21 nëntor, ai do të luante në Champions, në ndeshjen ndaj Sevillas, në moshën 16 vjeç e 258 ditë.

Top Channel