Vllaznia-Tirana, derbi i mbijetesës

27/05/2017 00:00

Kategoria Superiore ul sot siparin e saj për këtë sezon. Me çështjen e titullit tashmë të zgjidhur, e gjithë vëmendja është e përqendruar te lufta e mbijetesës në garë për të cilën matematikisht janë 4 skuadra.

Padyshim sfida që mban peshën më të madhe është ajo që do të luhet në “Loro Boriçi” mes Vllaznisë dhe Tiranës, 2 skuadrat legjendë të futbollit shqiptar por që kanë prekur pikën më të ulët të historisë së tyre.

Në këtë sfidë skuadrës shkodrane i mjafton edhe barazimi për të siguruar qëndrimin ne Superiore, ndërsa Tiranës i duhet me çdo kusht që të fitojë në mënyrë që të mos bëjë llogaritë edhe me sfidën mes Laçit e Teutës.

Federata Shqiptare e Futbollit vendosi që të jetë një arbitër i huaj ai që do të vërë drejtësi në këtë 90 minutësh në Shkoder. Bëhet fjalë për 42-vjeçarin Paolo Mazzoleni një arbitër ky i njohur ky për shqiptarët. 

Për sa i përket ndeshjes Laçi-Teuta, në këtë rast kurbinasit duhet të fitojnë, por edhe të presin një barazim apo disfatë të Tiranës për të qëndruar në superiore. Nëse do të jenë durrsakët ata që do të mund të marrin 3 pikët, atëherë Laçi bie në Kategorinë e Parë,  ndërsa Vllaznia e Tirana shpëtojnë.

Skuadra më e favorizuar në këtë luftë mbijetese është Flamurtari që si kundërshtar të fundit për këtë sezon do të ketë Korabin e rënë prej javësh në Kategorinë e parë.

Po kështu në pasditen e sotme do të luhen edhe ndeshjet Skënderbeu-Partizani dhe Luftëtari-Kukësit, dy ndeshje që luhen më shumë për formalitet.

Top Channel