Qeveria e re në Shkup, Zaev do të ketë gati nesër kabinetin

27/05/2017 00:00

Përfaqësuesit e partive politike që përbëjnë shumicën e re parlamentare në Maqedoni thonë se anëtarësimi i Maqedonisë në strukturat euroatlantike, sundimi i së drejtës në përputhje me rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar, transparenca dhe llogaridhënia e pushtetit e realizimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit janë parimet mbi të cilat do të udhëhiqet qeveria e re e Maqedonisë.

Analistë politik te cituar nga DW vlerësojnë se qeveria e re e Maqedonisë do të duhet të bëje kthesa të mëdha për kthimin e vendit në procesin e integrimeve, sundimin e drejtësisë dhe për të kthyer besimin e qytetarëve tek institucionet e shtetit.

Prof. Mitko Gaxhovski pohon se kjo do të jetë qeveria më e rëndësishme në historinë e Maqedonisë së re, e cila do të duhet të bëjë reforma thelbësore, që nuk janë bërë që nga shpallja e pavarësise. Parimet bazë mbi të cilat do të udhëhiqet qeveria e re sipas tij duhet të saktësohen në atë masë që të mos lihet hapësirë manovrimi për të anashkaluar detyrimet e shumta që e presin.

Për analistin politik Ilir Luma partitë politike shqiptare që përbëjnë shumicën e re parlamentare duhet të jenë pa përjashtim edhe pjesë e koalicionit qeveritar, të mbajnë përgjegjësinë e pjesëmarrjes në qeveri dhe në fund të mandatit të japin llogari para opinionit për arritjet apo dështimet.

Ndryshe nga Luma, analisti politik Blerim Hyseni nuk është përkrahës i drejtpërdrejtë i pjesëmarrjes të të gjitha partive politike shqiptare në ekzekutiv, sepse sipas tij spektrit politik shqiptar i nevojitet edhe opozitë.

Ndërkaq për analistin Xhelal Neziri partitë politike duhet të jenë më të përqëndruara në kthimin e normalitetit e funksionimin e së drejtës se sa në ndarjen e posteve.

Top Channel