Dy ndeshjet e fundit, Skënderbeu ul siparin e sezonit

26/05/2017 00:00

Vendimet e Disiplinës e gjymtuan Skënderbeun në fundin e  këtij sezoni kur duhen ende dhe dy ndeshje deri në uljen e siparit të futbollit shqiptar.

Në fillim prova e së shtunës në Superiore ndaj Partizanit dhe më pas finalja e Kupës ndaj Tiranës. Në përballjet me ekipet kryeqytetase luhet vendi i dytë dhe një trofe, të cilin ekipi korcar se ka fituar asnjëherë.

“Të gjithë, duke filluar nga tifozët duhet të jemi krenarë për ekipin e Skënderbeut sepse ishim deri në fund për të fituar trofeun, pavarësisht se nuk na lanë, jemi edhe në finalen e Kupës së Shqipërisë”, thotë trajneri i Skënderbeut, Ilir Daja.

Po kush nuk e donte Skënderbeun të rikonfirmuar kampion në futbollin shqiptar!

“Nuk duhet të fokusohemi vetëm tek federata, sepse nuk besoj që federata, pavarësisht se në caktimin e arbitrave ka përdorur dy standarde, por nuk mendoj që ka ndonjë drejtim të caktuar që të dalë ky apo ai ekip kampion. Besoj që në Shqipëri, politika, pasi ka bërë punën e saj shumë të mirë, përzihet keqas edhe tek sporti”, thotë Daja.

Mbrojtësi Tefik Osmani u dënua me 8 ndeshje për protestat dhe kartonin e kuq në sfidën që vendosi titullin në kukës, ndërsa Hamsi Salihi u dënua me 10 ndeshje për grisjen e kartonit të kuq. Të dy këta futbollistë nuk do të kenë mundësinë të jenë në fushë ndaj Partizanit për mbylljen e kampionatit dhe ndaj Tiranës për finalen e Kupës së Shqipërisë.

Top Channel