Pranimi në universitete, maturantët njihen me kriteret

26/05/2017 00:00

Universiteti i Tiranës ka nisur informimin e maturantëve me kriteret për pranimin në tyre auditorë. Maturantë thonë se tanimë e kanë të qartë sesi do të aplikojnë në portalin “eAlbania”.

Në Fakultetin e Historisë dhe Filologjisë do të pranohen 150 studentë të rinj për çdo degë.

‘Me këtë fond pikësh, ku 80 përqind e zë mesatarja e gjimnazit dhe 20 përqind mesataraj e lëndëve të maturës, ne kemi planifikuar rreth 150-160 studentë për çdo degë”, thotë Valentina Duka, Dekane e Fakultetit të Historisë dhe Filologjisë.

Dekani Fakultetit Ekonomik sqaron se çdo problem i konstatuar një vit më parë kur u aplikua dhe skema e re e pranimit është përmirësuar këtë vit dhe ekonomiku ka shtuar me 10 përqind kuotat.

“Fakti që ra cilësia, që mbetën kuota të paplotësuara në Universitetin e Tiranës, që nuk kishin të drejtë maturantët që të çregjistroheshin, pra të gjitha këto elemente që u verifikuan si defekte vitin e kaluar, këtë vit do të korigjohen”, u shpreh Dekani i Fakultetit të Ekonomisë, Dhori Kule.

Përmirësime janë bërë edhe në Fakultetin e Drejtësisë.

“Jemi përqendruar tek lëndët që janë të detyrueshme në shkollën e mesme duke eleminuar diferencat që ka programi në shkollat e mesme dhe duke u dhënë mundësi të gjithë studentëve që të konkurojnë në Fakultetin Juridik”, thotë Artan Hoxha, Dekan i Fakultetit të Drejtësisë.

Zv.ministri i Arsimit tha se provimi i parë i maturës shtetërore është më 5 qershor. Më 23 qershor është provimi i fundit dhe se procesi zgjedhor nuk cenon aspak maturën shtetërore.

Top Channel