NBA, LeBron James thyen rekordin e Michael Jordan

26/05/2017 00:00

Cleveland Cavaliers dhe Golden State do të diskutojnë titullin kampion të NBA për të tretin vit radhazi. Skuadra nga Ohio fitoi ndeshjen e pestë ndaj Bostoni në TD Garden 135-102 duke mbyllur llogaritë e përballjeve me të në 4-1.

LeBron James ishte heroi për Cavaliers me 35 pikët e  shënuara prej tij duke shkruar emrin në historinë e NBA si shënuesi më i mirë në fazën e playoffit.

Basketbollisti i Cleveland arriti në kuotën e 5995 pikëve në këtë fazë duke lënë pas legjendën Michael Jordan, që deri tani kryesonte me 5987 pikë. Kampionët në fuqi të NBA nuk e patën aspak të vështirë këtë sfidë me Celtics që e pagoi shtrenjtë mungesën e liderit të tij Thomas.

Boston që luante përpara publikut të tij në pushimin e ndeshjes e pa vetën në disavantazhin 57-75 duke u dorëzuar pa kushte ndaj Cleveland që  e thelloi akoma më shumë diferencën duke e çuar deri në 33 pikë.

Për Celtics i vetmi që u shpëton kritikave është Avery Bradley me 23 pikë, ndërsa në krahun tjetër përvec James, shkëlqyen Kyrie Irving me 24 pikë dhe Kevin Love me 15 pikë dhe 11 topa në tabelë.

Seria e ndeshjeve të finales së madhe të NBA mes Golden State dhe Cleveland nis në 1 qershor me ndeshjen që do të zhvillohet në Oracle Arena. Warriors e fitoi titullin mnë 2015, ndërsa Cavaliers në 2016, tani mbetet për të mësuar se cila nga këto dy skuadra do të rimarrë unazën e skuadrës më të mirë në NBA.

Top Channel