Njohësit e integrimeve europiane dhe të së drejtës ndërkombëtare mendojnë se, zinxhiri i ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor që nga fillimi i vitit e ka shtyrë bllokun europian t’i kushtojë më shumë vëmendje rajonit.

Për disa prej tyre, të cituar nga “Radio Europa e Lirë”, takimi i organizuar të mërkurën nga shefja e diplomacisë europiane, Federica Mogherini, me kryeministrat e vendeve të Ballkanit Perëndimor, është një sinjal i fortë se BE-ja po i kthen sytë nga Ballkani.

Me këtë takim, udhëheqësve rajonalë u tregohet se perspektiva e tyre e vetme është Bashkimi Europian dhe se reformat e thella ekonomike, politike dhe juridike, të cilat duhet t’i ndërmarrin në shtetet respektive janë të vetmet mundësi për t’i orientuar vendet e tyre drejt qëllimit final, që është anëtarësimi.

Muajt e fundit është diskutuar në shumë qarqe diplomatike, por edhe brenda vet institucioneve të Bashkimit Europian, mbi nevojën e kthimit të vëmendjes te Ballkani Perëndimor.

Një nga arsyet që e kushtëzojnë një lëvizje të tillë është rreziku potencial i konfliktit, i paraprirë nga shtimi i retorikës nacionaliste, ashtu siç është nga ana tjetër edhe shqetësimi që ngjallin përpjekjet ruse për zgjerimin e ndikimit në rajon.

Sipas ekspertëve, zhvillimet në Malin e Zi, deklaratat e udhëheqësve shqiptarë dhe situata e paqëndrueshme në Maqedoni ishin sinjale, që e shtynë BE-në t’i jepte situatës rajonale prioritetin e duhur.

Top Channel