Gjiknuri: Reformat shtetndërtuese sollën 300 milionë euro investime në Vlorë

26/05/2017 00:00

Drejtuesi politik i Qarkut të Vlorës, Damian Gjiknuri zhvilloi një takim elektoral në Novoselë, ku bashkëbisedoi me banorët për problemet me të cilat ndeshen dhe programin qeverisës të Partisë Socialiste për mandatin e ardhshëm.

Përmirësimi i infrastrukturës së fshatrave, investimet e mëtejshme në kanalet kulluese e vaditëse dhe mbështetja për bujqësinë ishin disa prej çështjeve të diskutuara.

“Pikërisht për këto gjëra të mëdha do të jem këtu që tu mbështes, në mënyrë që Novosela të marrë atë që vërtet meriton pasi është një nga njësitë që ka kontributet më të mëdha ekonomike, sidomos në bujqësi për gjithë Qarkun e Vlorës.

Gjiknuri u ndal më tej edhe tek bilanci i qeverisë në këtë mandat që po mbyllet.

“Partia Socialiste qe në gjendje që këto katër vite të bëjë shtet, të bëjë reformat të rëndësishme dhe një pjesë e investimeve që shikoni, nuk kanë ardhur thjesht nga dëshira e njërit apo e tjetrit. Kuptohet, kanë ardhur nga interesi që ka treguar Edi Rama për Qarkun e Vlorës dhe nga mundësitë. Pikërisht, për shkak të këtyre reformave të thella që u bënë, qoftë në energji, në arsim, në tatim-taksa, në një mirëadministrim të vendit, në ndalimin e ndërtimeve pa leje, u krijua mundësia që në Vlorë të bëhen investimet më të mëdha që janë bërë ndonjëherë. Janë mbi 300 milion euro investime transformuese në Qarkun e Vlorës.

Gjiknuri pranoi se ka ende gjëra që nuk janë bërë dhe probleme që duhen zgjidhur por shprehu bindjen se ajo forcë politike që ka dëshmuar se di të punojë, do mund të bëjë akoma më shumë.

“Unë e them, nuk i kemi bërë të gjitha, kemi bërë edhe gabime e ka dhe pakënaqësi. Ka papunësi e probleme pasi unë nuk jam naiv që të them se gjërat janë rregulluar mirë. Gjithësesi, njeriu bën krahasimin, pasi Edi Rama ka bërë shumë për Vlorën dhe jam i bindur se ai që ka bërë shumë, do të bëjë akoma më shumë”, nënvizoi Gjiknuri.

Top Channel