Ndërhyrja ruse, dhëndri i Trump nën hetim

26/05/2017 00:00

Hetimet e FBI-së mbi ndërhyrjen ruse në presidencialet amerikane të nëntorit po thellohen gjithmonë e më shumë, duke përfshirë së fundi edhe vet dhëndrin e Presidentit Donald Trump, Jared Kushner.

“Washington Post” thotë se këshilltari i lartë i Shtëpisë së Bardhë është vënë në fokusin e Byrosë Federale të Hetimit, për shkak të takimeve të zhvilluara vitin e kaluar me ambasadorin rus në Shtetet e Bashkuara, Sergei Kislyak, dhe një bankier nga Moska, Sergei Gorkov.

Kushner, nga sa raporton gazeta prestigjioze, nuk është domosdoshmërisht i dyshuar për ndonjë shkelje, por mund të ketë informacione të vlefshme mbi çështjen.

Bashkëshorti i Ivanka Trump është zyrtari i vetëm, deri tani, nga Shtëpia e Bardhë, i konsideruar si një person kyç në hetime.

FBI-ja, disa komisione të Kongresit dhe një prokuror i posaçëm janë duke kryer hetime mbi dy pista: njëra mbi dyshimet se Rusia është përpjekur të ndikojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, e tjetra se këshilltarë të Presidentit Trump mund të kenë pasur lidhje me zyrtarë rusë, të cilët kishin për qëllim të ndikonin zgjedhjet.

Hetimi i lidhjeve me Rusinë ka marrë një vëmendje të shtuar dhe e ka vënë në qendër të sulmeve administratën e Presidentit Trump, që kur ai shkarkoi drejtorin e FBI-së, James Comey, më 10 maj. Ende nuk dihet nëse FBI-ja i ka kërkuar zotit Kushner të dorëzojë ndonjë dokument.

Njëri prej avokatëve të tij, Jamie Gorelick sqaroi përmes një deklarate se, klienti i tij është plotësisht i gatshëm të bashkëpunojë me autoritetet.

Top Channel