Vllaznia “izolohet” në Ulqin. Voltana Ademi: Lojtarët, jo gjithnjë të motivuar

25/05/2017 00:00

E izoluar prej ditësh në Ulqin, skuadra e Vllaznisë ka zgjedhur heshtjen për gjithçka ndodh këto ditë të fundit përpara ndeshjes me Tiranën, e cila do të përcaktojë qëndrimin apo rënien e tyre nga Kategoria Superiore.

Në një intervistë telefonike për Top Channel, pasi ndodhet jashtë Shqipërisë në samitin e Fatkeqësive Natyrore të organizuar nga OKB-ja në Meksikë, kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, njëkohësisht edhe presidentja e klubit, Voltana Ademi tregon situatën në kampin kuqeblu.

“Kam folur me stafin teknik, ata ndodhen në Ulqin për fazën përgatitore dhe të fokusuar në ndeshjen e radhës. Duke parë rëndësinë, ata nuk munden të komunikojnë me mediet. Po punohet shumë që të dalin me sukses në këtë përballje, edhe pse të vjen keq kur sheh që luajnë dy skuadra, si Vllaznia dhe Tirana, për mbijetesë”, tha Voltana Ademi, kryetare e Bashkisë së Shkodrës.

Pasi ka theksuar edhe njëherë përgjigjen financiare që ka pasur pushteti lokal gjatë të gjithë kësaj periudhe, Ademi thekson se në shumë gjëra është dakord me Cungun, kur thotë se lojtarët nuk kanë qenë të motivuar në disa raste.

“Unë nuk mund të akuzoj, por në disa raste bashkohem me Armandon (Cungu). Ka pasur ndeshje, si ajo me Korabin, ku skuadra ka neglizhuar dhe nuk është përgjigjur si duhet”, tha Voltana Ademi.

Rasti i Bakajt është krejtësisht i papranueshëm për kryetaren e Bashkisë së Shkodrës, e cila thekson edhe njëherë se Vllaznia do të shpëtohet nga shkodranët.

“Është e papranueshme ajo që ka ndodhur. Nuk e imagjinoj dot. Por ne kemi besim te shkodranët. Ajo ishte një histori shqiptare, që një lojtar dezerton në momentin e fundit”, tha Voltana.

Top Channel